Sigurimi shëndetësor shpesh krijon përshtypjen se çdo shpenzim mjekësor do të rimbursohet automatikisht. Ky është një nga keqkuptimet më të zakonshme që hasim në praktikë.
Ne realitet, procesi i rimbursimit varet nga kushtet e polices, mbulimet e kontraktuara dhe natyra e sherbimit mjekesor te kryer.
Cili eshte realiteti?
Sigurimi shëndetësor nuk nënkupton që çdo kërkesë për rimbursim aprovohet automatikisht.
Para se të përdorni sigurimin shëndetësor, kontrolloni nëse shërbimi që ju nevojitet është pjesë e mbulimit të policës.
Cdo police mund te permbaje:
- Limite te mbulimit
- Perjashtime
- Kushte specifike
- Periudha pritjeje (waiting periods)
Per kete arsye, eshte e rendesishme qe kushtet e polices te kuptohen para se te lind nevoja per ta perdorur ate.
Çfarë nënkuptojnë kushtet e policës në praktikë?
1. Limitet e mbulimit
Çdo policë sigurimi ka limite që përcaktojnë shumën maksimale që mund të mbulohet për një shërbim të caktuar ose gjatë një periudhe të caktuar.
Në praktikë, sigurimi shëndetësor funksionon sipas limiteve, përjashtimeve dhe kushteve të përcaktuara në policë.
Shembull: Polica juaj mund të mbulojë trajtimet dentare deri në 200€ në vit. Nëse gjatë vitit shpenzoni 350€, kjo nuk do të thotë që sigurimi do t’i rimbursojë të gjitha 350€. Sipas këtij limiti, mbulimi maksimal është 200€.
2. Përjashtimet
Përjashtimet janë raste, shërbime ose gjendje të caktuara që polica përcakton se nuk mbulohen nga sigurimi. Prandaj, edhe nëse një shpenzim është mjekësor, kjo nuk do të thotë automatikisht se është i mbuluar.
Prandaj, gjatë përdorimit të sigurimit shëndetësor, është e rëndësishme të kontrollohen përjashtimet e policës para kryerjes së një shërbimi.
Shembull: Një person kryen një trajtim estetik dhe kërkon rimbursim nga sigurimi shëndetësor. Nëse trajtimet estetike janë të përjashtuara nga polica, shpenzimi nuk rimbursohet, edhe pse trajtimi është kryer në një institucion shëndetësor.
3. Periudha e pritjes (Waiting Period)
Disa mbulime nuk mund të përdoren menjëherë pas fillimit të policës. Polica mund të përcaktojë një periudhë të caktuar që duhet të kalojë para se një mbulim të bëhet aktiv.
Për këtë arsye, kur fillon sigurimi shëndetësor, duhet kontrolluar nëse disa mbulime kanë periudhë pritjeje.
Shembull: Polica mund të ketë periudhë pritjeje prej 3 muajsh për trajtimet dentare. Nëse polica fillon më 1 janar dhe trajtimi kryhet në shkurt, shpenzimi mund të mos mbulohet, edhe pse trajtimet dentare janë pjesë e policës.
4. Kushtet specifike
Për disa shërbime, polica mund të kërkojë plotësimin e kushteve të caktuara para se shpenzimi të mbulohet. Këto mund të përfshijnë rekomandimin e mjekut, miratimin paraprak nga kompania e sigurimit ose dokumentacion të caktuar.
Shembull: Polica mund të mbulojë një ekzaminim MRI, por të kërkojë miratim paraprak nga kompania e sigurimit. Nëse ekzaminimi kryhet pa e marrë këtë miratim, kërkesa për rimbursim mund të mos aprovohet.
Para një ekzaminimi me kosto më të lartë, kontrolloni nëse sigurimi shëndetësor kërkon miratim paraprak nga kompania e sigurimit.
Pse një kërkesë për rimbursim mund të mos aprovohet?
Fakti që një shërbim mjekësor është kryer dhe është paguar nga i siguruari nuk do të thotë automatikisht se ai shpenzim është i rimbursueshëm.
Gjatë shqyrtimit të një kërkese, kompania e sigurimit e krahason shërbimin e kryer me kushtet e policës. Kontrollohet nëse shërbimi është pjesë e mbulimit, nëse ka mbetur limit i disponueshëm, nëse është respektuar periudha e pritjes dhe nëse janë plotësuar kushtet e kërkuara për atë shërbim.
Për këtë arsye, dy persona që kanë sigurim shëndetësor mund të marrin përgjigje të ndryshme për shërbime të ngjashme, nëse policat, paketat ose kushtet e tyre nuk janë të njëjta.
Çfarë duhet të kontrolloni para se të kryeni një shërbim mjekësor?
Për shërbimet me kosto më të lartë, është mirë që mbulimi të verifikohet para se të kryhet shërbimi.
Kontrolloni:
- nëse shërbimi është i përfshirë në policë;
- sa është limiti i disponueshëm;
- nëse ekziston periudhë pritjeje;
- nëse kërkohet rekomandim mjekësor;
- nëse kërkohet miratim paraprak nga siguruesi;
- nëse duhet të përdoret një institucion i caktuar ose rrjet i kontraktuar.
Një verifikim i shkurtër para trajtimit mund të shmangë një situatë ku klienti paguan shërbimin duke menduar se do të rimbursohet, ndërsa më vonë zbulon se një kusht i policës nuk është plotësuar.
Dokumentacioni ka rëndësi në procesin e rimbursimit
Edhe kur një shërbim është i mbuluar, kërkesa për rimbursim duhet të shoqërohet me dokumentacionin që kërkohet sipas policës dhe procedurave të siguruesit.
Varësisht nga rasti, mund të kërkohen dokumente si raporti mjekësor, fatura, dëshmia e pagesës, rekomandimi i mjekut ose dokumente të tjera që lidhen me trajtimin.
Nëse dokumentacioni është i paplotë, siguruesi mund të kërkojë informata shtesë para se të marrë vendim për kërkesën. Kjo mund ta zgjasë procesin e rimbursimit.
Prandaj, ruani dokumentacionin që lidhet me vizitat dhe trajtimet mjekësore dhe kontrolloni kërkesat e policës para se ta dorëzoni kërkesën.
Një shembull i thjeshtë
Supozojmë se një person ka sigurim shëndetësor dhe duhet të kryejë një ekzaminim që kushton 250€.
Personi e di që lloji i ekzaminimit është pjesë e policës dhe supozon se do të rimbursohet plotësisht.
Mirëpo, para rimbursimit mund të jenë relevante disa pyetje:
- A ka polica limit të veçantë për këtë shërbim?
- A është kaluar periudha e pritjes?
- A është kërkuar rekomandimi i mjekut?
- A duhej miratim paraprak?
- A është dorëzuar dokumentacioni i nevojshëm?
Pra, përgjigjja nuk varet vetëm nga pyetja “A e kam këtë shërbim në sigurim?”, por edhe nga kushtet me të cilat ai shërbim mbulohet.
Cfare duhet te mbani mend?
Sigurimi shëndetësor funksionon më mirë kur i njihni paraprakisht kushtet e policës. Para se të kryeni një shërbim mjekësor, kontrolloni disa elemente kryesore:
- Kontrolloni çfarë mbulon dhe çfarë nuk mbulon polica juaj.
- Kontrolloni limitet dhe periudhat e pritjes.
- Për shërbimet me kosto më të lartë, verifikoni nëse kërkohet miratim paraprak.
- Ruani dokumentacionin mjekësor dhe financiar të shërbimit.
- Nëse një kusht nuk është i qartë, kërkoni sqarim para se ta kryeni shërbimin.
Të kesh sigurim shëndetësor është e rëndësishme, por po aq e rëndësishme është të kuptosh se si funksionon polica.
Një kërkesë për rimbursim vlerësohet sipas mbulimit, limiteve, përjashtimeve dhe kushteve të kontraktuara. Prandaj, sa më mirë ta njihni policën para se t’ju nevojitet, aq më pak gjasa ka të përballeni me surpriza gjatë procesit të rimbursimit.
Për më shumë informacione praktike rreth sigurimeve dhe mbulimeve, mund të lexoni edhe materialet tjera në Akademinë e Sigurimeve.
Perfundim
Te kuptosh kushtet e polices eshte po aq e rendesishme sa ta kesh ate.
Sigurimi shëndetësor është më i dobishëm kur e dini paraprakisht çfarë mbulon, cilat janë limitet dhe çfarë kushtesh duhet të plotësoni. Kjo ju ndihmon të shmangni surprizat në momentin kur kërkoni rimbursim.
Për informacione institucionale mbi rregullimin dhe mbikëqyrjen e sektorit të sigurimeve në Kosovë, mund të konsultoni edhe Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK).
